Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj dhe ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, sot kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi.

Memorandumi parashikon realizimin e aktiviteteve që avancojnë çështjen e mbrojtjes së mjedisit, përfshirë fushata vetëdijesimi, organizimin e  përbashkët të ngjarjeve të rëndësishme mjedisore; përfshirjen e organizatës “Let’s do it Kosova  në draftimin dhe ridraftimin e dokumenteve ligjore dhe strategjive për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit; organizimin e aksioneve të vazhdueshme të pastrimit të deponive ilegale të mbeturinave gjatë tërë vitit dhe aktivitete të tjera të përfshirjes së institucioneve lokale, OJQ-ve dhe  komunitetit në këto aksione.

Me këtë rast, Ministri Shala shprehu respektin për gjithë aktivitetin e deritanishëm të Let’s do it Kosova në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i Let’s do it Kosova, Luan Hasanaj e falënderoi ministrin për mbështetjen dhe theksoi se kjo është edhe një mundësi shtesë që i jepte aktiviteteve për përmirësimin e mjedisit në Kosovë.

Let’s Do It Kosova zotohet se do të vazhdojë të avokojë dhe lobojë tek të gjitha institucionet, në mënyre që të përmirësohet gjendja e mjedisit në Kosovë. Njëkohësisht, do të vazhdojë fushatën vetëdijesuese me qytetarët.