Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, Let’s Do It Kosova ka fituar çmimin “Mirënjohje për Promovimin e Qytetarisë Aktive dhe Vullnetarëve”.

Let’s Do It Kosova u vlerësua për përkushtimin si aktivistë për pastrimin e mbeturinave gjithandej Kosovës, duke organizuar edhe fushatë vetëdijësuese.

Ky çmim u nda nga Instituti “Demokracia në Zhvillim” në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për Zhvillim: Promovimi i Vullnetarizmi dhe Qytetarisë Aktive në Kosovë”.

Qëllim i ndarjes së Çmimit për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit ishte promovimi i punës dhe angazhimit të vullnetarëve në Kosovë, aktivizmi dhe shërbimi i të cilëve ka bërë ndryshim të dukshëm në komunitetet e tyre.

Çmimi tek vullnetarët e dorëzoi ambasadori i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Drejtori ekzekutiv i Let’ s Do It Kosova, Luan Hasanaj tha se ky është një motiv shtesë për vullnetarët e shumtë të kësaj organizate që të vazhdojnë tutje.

“Po e filloj fjalën time me një thënie të së madhes Nëna Terezë – Mrekullia nuk është se ne e bëjmë këtë punë, por që jemi të lumtur ta bëjmë atë! Kur e them këtë, më dalin përpara mijëra fytyra të lumtura të cilat me vite dërgojnë fotografi gjatë punës së tyre vullnetare për të pastruar Kosovën nga mbeturinat. Në fakt ky çmim iu dedikohet atyre”, tha Hasanaj.

Po ashtu, ekipi i Let’s Do It Kosova ishte në një takim me OJQ mjedisore, të organizuar nga ministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e cila ndau mirënjohje për organizatën.

Në takim me ministren Reshitaj u diskutuan mënyrat e bashkëpunimit dhe përkrahjes së MMPH do të japë për projektet e vullnetarizmit lidhur me mjedisin.

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, ekipi i Let’s Do It Kosova mori pjesë edhe në ngjarjen e shënimit të kësaj dite, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gjatë kësaj ngjarje u përmend aktiviteti i Let’s Do It Kosova, i cili u përshëndet dhe u tha se duhet të merret si shembull.

Let’s Do It Kosova mori pjesë edhe në panairin e vullnetarizmit, që u organizua në kuadër të kësaj ngjarjeje.

IMG_1653

IMG_1687

IMG_1689