Ekipi i Let’s Do It Kosova po merr pjesë në Konferencën Botërore për Mjedis, organizuar nga Lëvizja Botërore Let’s Do It World, që po mbahet në Tallin të Estonisë nga 25 janari deri më 28 janar 2018, ku po marrin pjesë delegacione e organizata nga shtete të shumta të botës.

Përveç pjesëmarrjes së ekipit në Konferencë, drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka mbajtur një punëtori, ku ka folur për ndërtimin e ekipeve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tyre, bazuar në përvojën e Kosovës.


Po ashtu, në Konferencë është shfaqur edhe një dokumentar, në të cilin janë prezantuar aktivitetet e organizuara nga Let’s Do It Kosova. Linkun e gjeni KËTU


Në Konferencën Botërore për Mjedis po merr pjesë edhe ministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e cila në fjalimin e saj theksoi rëndësinë e një mjedisi të pastër dhe angazhimin përtej dallimeve etnike e fetare për ta shpëtuar mjedisin nga ndotja. Po ashtu, pjesë e Konferencës nga ekipi i Kosovës është përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ismet Haskaj.


Gjatë Konferencës Botërore për Mjedis, ekipi i Let’s Do It Kosova ka zhvilluar takime të shumta me organizata dhe institucione të rëndësishme mjedisore ndërkombëtare.

Përfaqësues nga institucione e organizata mjedisore nga Ballkani u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta mjedisore, ku u tha se do të organizohen konferenca e aksione të përbashkëta pastrimi, si dhe do të bëhet shkëmbim i përvojave.

Po ashtu, në Konferencë u bë hartimi i Strategjisë për organizimin e aksionit masiv të pastrimit të botës, i cili do të mbahet më 15 shtator të këtij viti, në më shumë se 200 vende të botës, përfshirë edhe Kosovën.

Përveç aktivistëve mjedisorë nga e tërë bota, në ‘Clean World Conference’ po marrin pjesë edhe delegacione të ndryshme shtetërore, përfaqësues të organizatave më të mëdha mjedisore nga UN, Bashkimi Europian, JCI e të tjera, si dhe presidentja e Estonisë.

Udhëtimin e ekipit të Let’s Do It Kosova ka mundësuar përkrahja financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).