15 shtatori i vitit 2018 shënon ditën kur rreth  5 për qind e popullsisë së botës do të marrin pjesë në aktivitetin e përbashkët “Ta Pastrojmë Botën”, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.

Aktiviteti do të mbahet në mbi 200 shtete, pjesë e Lëvizjes Botërore Let’s Do It, në mesin e të cilëve është edhe Let’s Do It Kosova.

Let’s Do It Kosova, e cila për gjashtë vite ka arritur t’i mbledhë rreth vetës deri në 100 mijë vullnetarë, të cilët janë angazhuar në largimin e dhjetëra ton mbeturinave (deponive ilegale), ka filluar përgatitjet e fushatës mobilizuese “Ta Pastrojmë Kosovën 2018”.

Në kuadër të përgatitjeve për aksionin “Ta Pastrojmë Botën”, Let’s Do It Kosova, aktivitetin e saj tashmë tradicional të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” që mbahet çdo 24 maj, do ta organizojë më 15 shtator 2018.

Dita Boterore e Pastrimit 1

Lidhur me këtë, Let’s Do It Kosova tashmë ka filluar përgatitjet për organizimin e fushatës në Kosovë, duke marrë pjesë në takimet e përbashkëta të shteteve që janë pjesë e kësaj Lëvizje, në të cilat Let’s Do It Kosova po prezantohet si një prej shteteve model në organizimin, mobilizimin e qytetarëve dhe fushatën vetëdijesuese

Përkundër faktit që çështjet mjedisore ende nuk janë në mesin e prioriteteve të institucioneve në Kosovë, Let’s Do It Kosova ka qenë në mënyrë aktive e përkushtuar me qëllim të ngritjes së vetëdijes jo vetëm të institucioneve, por edhe të qytetarëve, për ruajtjen e mjedisit.

Andaj, ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që të bëhen pjesë e kësaj fushate të madhe, në mënyrë që 15 shtatori i vitit 2018 të shënojë fundin e deponive ilegale në Kosovë.

Dita Boterore e Pastrimit