Kush Jemi Ne

Let’s Do It Kosova, është organizatë e cila merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, organizimin e qytetarëve për adresimin e problemeve , pjesëmarrjen e tyre nëpër aktivitete të ndryshme si (aksione të pastrimit, fushata vetëdijesuese dhe aktivitete të tjera vullnetare). Krahas kësaj Let’s Do It Kosova punon edhe në fushata avokuese për të ndikuar tek vendimmarrësit për zgjidhje të çështjeve mjedisore.

Let’s Do It Kosova është pjesë e lëvizjes globale Let’s do it World e cila është e  pranishme në 150 shtete në mbarë Botën. E filluar në vitin 2008 në Estoni, ajo është përhapur shumë shpejtë në tërë botën. Kjo nismë u realizua me shumë sukses edhe në Kosovë  me shumë e aktivitete, duke u karakterizuar konkretisht me organizimin e qindra pilot aksioneve për pastrimin e qindra deponive ilegale me mbeturina dhe  aksioneve të mëdha çdo vit me 24 Maj që nga viti 2012.

Let’s Do It Kosova , brenda një kohe të shkurtër u bë fushata më e madhe e cila e trajtoi pa ndërprerë problemet e mjedisit në Kosovë (posaçërisht pjesëmarrjen e publikut në aktivitete mjedisore).
Let’s Do It Kosova, në kuadër të fushatës së saj, arriti që problemin e  ndotjes së mjedisit dhe menaxhimit të mbeturinave, ta bëjë temë debati në të gjitha strukturat qeveritare dhe joqeveritare në Kosovë.
Let’s Do It Kosova tani më është e shtrirë në të gjitha Komunat e Kosovës, dhe në secilën Komunë funksionojnë grupe të vullnetarëve të cilat aktivisht merren me adresimin e problemeve mjedisore si dhe organizimin e aksioneve të pastrimit të deponive ilegale me mbeturina. Grupet lokale përbëhen prej vullnetarëve nga Komunat, OJQ-të, Bizneset, Shkollat, Mediat si dhe qytetarë të tjerë.
Secili grup Komunal e ka të zgjedhur koordinatorin, po ashtu secili nga shtatë regjionet e Kosovës e ka të zgjedhur koordinatorin regjional. Përpos grupeve lokale dhe koordinatorëve regjional, Let’s Do It Kosova menaxhohet nga ekipi qendror me seli në Prishtinë, e përbërë prej 15 personave të cilët vullnetarisht koordinojnë të gjitha aktivitetet e organizatës. 

Përshkrim i përgjithshëm i aktiviteteve të Let’s Do It Kosova:

24 Maji në Kosovë njihet si dita e pastrimit dhe sensibilizimit të qytetarëve kundër hedhjes së mbeturinave, dhe këtë datë organizata Let’s Do It Kosova e ka shënuar çdo vit që nga viti 2012, duke qenë në fillim vetëm një iniciativë qytetare e cila mblodhi pas vetës shumë dashamirë të mjedisit.
Përgjatë gjashtë viteve, Let’s Do It Kosova ka pasur të njejtin qëllim, mision dhe aktivitet, ta vetëdijësojë popullin që hudhja e mbeturinave shkatërron mjedisin, shëndetin tonë dhe poashtu dëmton imazhin e vendit tonë.
Për gjashtë vite me radhë, Let’s Do It Kosova në aktivitetet e saj ka mbledhur mbi 300 mijë vullnetarë qytetarë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, studentë të universiteteve, biznese, organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qëndrore, përfaqësues të ambasadave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, kompanitë regjionale private dhe publike të menaxhimit të mbeturinave etj.
Nga viti 2012 – 2017 në aksionet e organizuara, Let’s Do It Kosova ka pastruar mbi 30 mijë ton mbeturina nga mbi 500 deponi ilegale.
Ka ndërtuar dhjetëra parqe, shumica e të cilëve janë ndërtuar në hapësirat e pastruara nga mbeturinat.
Në çdo aktivitet të saj, Let’s Do It Kosova i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe përfshirjes së komuniteteve pakicë në Kosovë. Let’s Do It Kosova ka përfaqësues në komuna të ndryshme të angazhuar si koordinatorë lokalë dhe regjional nga komunitetet RAE, boshnjak, turk e serb.
Falë angazhimit të madh dhe aktiviteteve të shpeshta, Let’s Do It Kosova ka nxitur edhe përfshirjen e figurave të famshme të artit, sportit, politikës etj., si pjesë e fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Krahas aksioneve të pastrimit, Let’s Do It Kosova ka organizuar edhe aktivitete tjera përcjellëse si:

  • Ligjërata nëpër shkolla fillore dhe të mesme.
  • Shpërndarje e materialeve promovuese (broshura informative e përbërë nga letra e riciklueshme, bluza dhe butona nëpër të gjitha Komunat e Kosovës)
  • Xhirime në ditën e pastrimit në tërë Kosovën dhe realizimi i reportazheve.
  • Konferenca të rregullta për media dhe publikime të rregullta te aktiviteteve.

Faktor me rëndësi në sensibilizimin e promovimit dhe ruajtjen e mjedisit janë gjithsesi edhe mediat, të cilat Let’s Do It Kosova i ka pasur gjithmonë pranë në çfarëdo forme bazuar në rëndësinë e raportimit për mjedis, temë për të cilën organizata ka ofruar trajnime për gazetarë. Aktivitetet e pa ndërprera në të mirë të mjedisit, kanë bërë që Let’s Do It Kosova të ketë mbulueshmëri të plotë nga të gjitha mediumet në Kosovë.
Në vitin 2016, Let’s Do It Kosova ka qenë e nominuar për çmimin “Evropiani i Vitit” nga Zyra e BE-së në Kosovë, si organizatë që proklamon vlerat evropiane.

Në vitin 2016 dhe 2017, poashtu e nominuar për çmimin filantropik FIDES, për kontribut në mjedis.
Sot, Let’s Do It Kosova ka mbi 5000 vullnetarë të regjistruar në  databazën e saj (http://www.letsdoitkosova.org/regjistrohu/), ndërsa aktivitetet e saj e radhisin Kosovën si një ndër vendet me organizimin më të mirë të fushatës brenda shteteve të lëvizjes Let’s Do It World.

Let’s Do It Kosova ka bashkëpunim të ngushtë me shumë akterë vendorë si: institucione, organizata vendore, ndërkombëtare dhe përfaqësi diplomatike në Kosovë.
Përveç kësaj, në rrafshin ndërkombëtar të pjesëmarrjes, Let’s Do It Kosova është bashkëpunëtore dhe me organizata tjera të cilat promovojnë ruajtjen e mjedisit si: The Climate Reality Project, US Green Chamber, Act for Drin, dhe Climate Colab.

Misioni i fushatës

Aktivizimi i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe përfshirja e tyre për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, mobilizimi i te gjithë akterëve vendimmarrës për zgjidhjen e problemit të mjedisit në Kosovë.

Na ndiqni

Përcillni të gjitha aktivitetet tona në lidhjet më poshtë.